Në ditën e 81 - Vjetorit të krijimit të batalionit partizan me ushtarë italianë “Antonio Gramshi”, në kuadrin e 80 - Vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe të 80 - Vjetorit të rënies heroike të komandantit të batalionit Terzilio Cardinali dhe dëshmorëve të tjerë italianë e shqiptarë në luftimet e Çerenecit, Komiteti i Veteraneve dhe Pasardhësve të LANÇ në bashkinë Bulqizë dhe në bashkëpunim me historianët Teki Kurti, Sali Onuzi, Bernard Zotaj, Sefer Duka dhe pasardhës veteranësh edhe nga Tirana, Dibra, Burreli organizuan një konferencë përkujtimore në Bulqizë.
Konferencës i paraprinë homazhet dhe vendosja e kurorave tek lapidari i ngritur në Çerenec, në vendin e betejës së përgjakshme të 8 korrikut 1944, ku ranë heroikisht dëshmoret italianë e shqiptare.
Lapidari i kushtohet batalionit “Antonio Gramshi” dhe dëshmorëve italianë e shqiptarë të Brigadës I: Hero i Popullit Terzilio Cardinali, Hero i Popullit Rocco Consiglio, Hero i Popullit Renato Donnino, Hero i Popullit Giuseppe ... , Hero i Popullit Antonio ... (këtyre dy partizaneve nuk u dihet mbiemri) dhe 2 dëshmorëve shqiptarë Islam Musaj (Dushku) dhe Hasan Kasmi.
Merrnin pjesë dhe përshëndetën prefekti i qarkut të Dibrës z. Nexhmedin Shehu, kryetarja e Bashkisë së Bulqizës znj. Festime Mjeshtri. Merrnin pjesë pasardhës të veteranëve të LANÇ nga Bulqiza, nxënës të shkollave si edhe familjarë të partizanëve italianë. Respekt të veçantë pati për fjalën e hapjes nga Xhevat Jella, kryetar i Komitetit të Veteranëve, Bulqizë. U ndoqën me shumë interes trajtimet historike - shkencore, bazuar në fakte e dokumente referuar nga të ftuarit. Kështu, prof. asoc. dr. Teki Kurti, drejtor i Arkivit Qendror të FA trajtoi temën: “81 vjet nga krijimi i Batalionit partizan “Antonio Gramshi” (vështrim i shkurtër historik), historiani ushtarak kolonel Sali Onuzi foli për pjesëmarrjen dhe kontributin e ish-ushtarakëve antifashistë italianë në formacionet e tjera të Ushtrisë Nacionalçlirimtare shqiptare. Prof. as. dr. Bernard Zotaj shtjelloi temën “Partizanët antifashistë italianë që ranë dëshmorë në Shqipëri”, ndërsa historiani kolonel Sefer Duka, kryetar i Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve, Burrel foli për dëshmorët italianë që dhanë jetën në luftimet për çlirimin e Burrelit”.
U dëgjua për herë të parë himni i Batalionit “Antonio Gramshi” (regjistruar me kor dhe orkestër). Ky himn është kompozuar nga Artisti i Popullit shqiptar Tish Daija, që nga fundi i vitit 1943, kur ishte vetëm 15 vjeç. Mundëm të dëgjonim himnin falë kujdesit dhe bashkëpunimit të miqve Roland Alikaj dhe Piero Beldi.
U shfaq për herë të parë filmi dokumentar “Gaveta” me regjisor Kreshnik Hashorva, kushtuar humanizmit e solidaritetit të familjeve shqiptare për strehimin dhe përkujdesjen e ushtarëve antifashistë italianë pas kapitullimit pa kushte të Italisë fashiste. Ishte interesant gjithashtu tregimi i Francesco Fiore ardhur posaçërisht nga Italia bashkë me vëllain e vet Ferdinando.
Konferenca dëshmoi suksesin e bashkëpunimit! Ajo përcolli mesazhe të rëndësishme atdhetarizmi!
Risi në këtë veprimtari përkujtimore ishte edhe mesazhi i urimit që dërgoi Komiteti Kombëtar i ANPI dhe Sekretariati Kombëtar i ANPI. E kaluara heroike atdhetare e popullit tonë na bën krenarë!
-------------------------
Vazhdon me postimin e mesazhit:
Shoqata Kombëtare e Partizanëve të Italisë, Komiteti Kombëtar
Prot. 154
Roma, 7 tetor 2024
Drejtuar: Komitetit të Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ – Bulqizë, Bashkisë Bulqizë
Të dashur miq dhe shokë,
Për shkak të angazhimeve të shumta dhe të ndërlikuara në lidhje me situatën e vështirë në Itali, nuk mund të marrim pjesë personalisht në konferencën tuaj. Sidoqoftë, ju po përkujtoni ngjarje të rëndësishme historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe sidomos çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi nazifashist, një ngjarje kjo që është me rëndësi të madhe historike për ju, por edhe për ne dhe organizatën tonë të partizanëve italianë.
Ju dhe ne vlerësojmë kontributin e ushtarëve italianë, të cilët, pas datës 8 shtator 1943, morën pjesë në luftën çlirimtare të vendeve të pushtuara nga ushtria fashiste, duke na nderuar të gjithëve në mënyrë të veçantë. Ky ishte një akt që na lejoi të rikuperonim dinjitetin tonë, që aventurizmi ushtarak fashist kishte plagosur, nëpërkëmbur dhe shkatërruar.
Në rastin e Shqipërisë, lidhja ka një rëndësi edhe më të madhe. Italia kishte pushtuar vendin tuaj më 7 Prill 1939, përpara fillimit të Luftës së Dytë Botërore, duke ndjekur aspiratat e hershme, që e kanë zanafillën të paktën që nga fillimi i shekullit XX, për një ëndërr hegjemoniste dhe kolonialiste në Mesdhe dhe Ballkan. Përgjegjësia e Italisë është e dyfishtë edhe për shkak të ndërhyrjes brutale në punët e brendshme të vendit tuaj. Por lidhjet mes dy popujve e vendeve tona bëhen edhe më serioze, jo vetëm për shkak të lidhjeve të ngushta historike, por edhe sepse janë thelluar akoma më shumë përmes emigracionit shqiptar në Itali.
Italia kishte synuar një rol kolonial, që më pas u përforcua nga fashizmi. Por pas shpërbërjes së ushtrisë fashiste, ishin ushtarët italianë ata që luftuan dhe vuajtën krah për krah me popujt e shtypur. Me këtë qëndrim, ata arritën të ndalonin turpërimin që fashizmi kishte sjellë.
Historia e Batalionit Gramshi shkruhet në këtë kontekst. Ishte një grup divizionesh italiane që u bashkuan në fillim me rezistencën kundër pushtimit gjerman dhe më pas në Ushtrinë Nacionalçlirimtare shqiptare. Emri i batalionit iu dedikua Antonio Gramshit, me prejardhje shqiptare dhe themelues e udhëheqës i Partisë Komuniste italiane. Gramshi ishte një figurë e jashtëzakonshme dhe një viktimë e regjimit të Musolinit.
Heroizmi i anëtarëve të batalionit dhe dhimbja për të rënët, përfshirë figurën e Terzilio Cardinali, një personalitet i rrallë nismëtar dhe komandant i batalionit i cili u nderua me medaljen e artë për trimëri ushtarake, janë dëshmi që na emocionojnë dhe na bëjnë krenarë!
Sot, me emocion, përulemi përpara monumentit të Beratit dhe këtu tek lapidari në Çerenec, ku ju nderoni kontributin e antifashistëve italianë për çlirimin e Shqipërisë. Me krenari kujtojmë pjesëmarrjen e ushtarëve italianë në paradën e organizuar për çlirimin e Tiranës dhe kthimin e tyre në Itali me armët dhe uniformat e tyre të çlirimtarëve. Gjithashtu, ne nuk harrojmë fjalët e komandantit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare: “Ju treguat se një gjë ishte fashizmi, dhe një gjë tjetër ishte populli italian. Ne u jemi mirënjohës. Ne do të kujdesemi për varrezat tuaja të luftës, përfshirë ato që gjenden të shpërndara në malet tona, ku zhvilloheshin betejat.”
Për fat të keq, pritja e antifashistëve në Itali nuk ishte as e lumtur dhe as e lehtë. Madje mund të themi se u ndje poshtërimi i tyre, duke i çuar nëpër kampet e burgjet angleze, ku shpesh nuk ishin të ndarë nga bashkëpunëtorët e gjermanëve.
Ka histori personale dhe kolektive që dëshmojnë për demokracinë tonë, por sot përballemi me shqetësime të mëdha për shkak të problemeve sociale dhe konfliktet e vazhdueshme që na shqetësojnë të gjithëve.
Momenti që po përjetojmë është shumë i vështirë dhe perspektiva duket e errët. Por ne duhet dhe mund të gjejmë forcën për të reaguar, duke u mbështetur tek përvoja dhe rrënjët tona të përbashkëta të luftës për çlirimin nga pushtimi nazifashist.
Nuk ka asnjë zgjidhje kombëtare që mund të arrihet në dëm të interesave të kombeve të tjera! Ndjenja e përkatësisë dhe krenaria Kombëtare duhet të ndërtohet sot mbi bazën e bashkimit dhe bashkëpunimit, duke ndjekur rrugën e Bashkimit Evropian dhe fillimin e një procesi të sigurisë kolektive kontinentale.
Asnjë nga problemet aktuale që kanë shpërthyer në mënyrë dramatike sot – në Lindjen e Mesme, në Evropën Lindore, në Mesdhe apo në Ukrainë – nuk mund të zgjidhen me forcë, me kërcënime bërthamore apo me përplasje ndërmjet nacionalizmave kundërshtare.
Të gjithë pyesim me zë të lartë: A duhet të vendoset armëpushimi në Palestinë, në Liban, në Ukrainë dhe në Detin e Kuq për të zbutur krizën humanitare që po ndodh?
Le të bëjmë presion mbi qeveritë tona për të marrë iniciativa paqësore dhe të përpiqemi të rifillojmë një detantë, pa të cilën nuk mund të planifikojmë dhe të realizojmë të ardhmen që popujt tanë kërkojnë dhe e meritojnë.
Kjo është përshëndetja që ju sjellim, dhe dëshira e urimi ynë për të realizuar së bashku me ju dhe të gjithë antifashistët e Europës një të ardhme më të mirë!