Vendim Nr. 324, datë 29 maj 2024, "Për miratimin e Kalendarit të Integruar të Veprimtarive, në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80 - Vjetorit të Çlirimit".
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës; të neneve 5 e 45, të ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; të nenit 14, të ligjit nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024”, të ndryshuar, dhe në vijim të pikës 6, të vendimit nr. 32, datë 17.1.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e vitit 2024 ‘Viti mbarëkombëtar i 80-vjetorit të Çlirimit’ dhe krijimin e komisionit shtetëror për organizimin e veprimtarive në kuadër të tij”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Miratimin e kalendarit të integruar të veprimtarive në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të 80 - Vjetorit të Çlirimit, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, në buxhetin e miratuar për vitin 2024, nga fondi rezervë i buxhetit, u shtohen fonde për zhvillimin e disa aktiviteteve, sipas përcaktimeve të lidhjes nr. 1, bashkëlidhur këtij vendimi, si më poshtë:
a) Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme i shtohet fondi prej 5 500 000 (pesë milionë e pesëqind mijë) lekësh në programin “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, në llogarinë ekonomike 602;
b) Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i shtohet fondi prej 17 720 000 (shtatëmbëdhjetë milionë e shtatëqind e njëzet mijë) lekësh në programin “Arti dhe kultura”, fonde korrente në llogarinë ekonomike 604.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga ky vendim, me përjashtim të atyre të përmendura në pikën 2, të këtij vendimi, që përballohen nga fondi rezervë i buxhetit, përballohen nga buxheti vjetor i miratuar për çdo institucion.
4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Financave, Ministria e Brendshme, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, Biblioteka Kombëtare dhe Policia e Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Kryeministër
Edi Rama
Vendim Nr. 324, datë 29 maj 2024 (i plotë, bashkë me lidhjen 1) në formatin pdf.