Nëntori i shqiptarëve, çdo ditë e këtij muaji ka një domethënie për të gjithë ata që në dejet e tyre qarkullon gjaku arbëror. Brenda dhe jashtë Shqipërisë, përtej oqeanit të pafund ku prej vitesh shqiptarët në Amerikën e largët festojnë solemnisht festat kombëtare në zemër të një vendi ku liria është principi i jetës.
Të shumtë janë dhe ish-ushtarakë shqiptarë të emigruar me familjet e tyre, të cilët vazhdojnë të mbajnë lart identitetin kombëtar. Pikërisht në këto ditë festash, Ushtarakët shqiptarë në Nju Jork, familjarë të tyre, anëtarë dhe miq të Shoqatës Skënderbej, ngritën siparin e kremtimeve të festave të mëdha.
Nën tingujt e himnit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe himnit shqiptar, me dorë në zemër dhe mall për atdheun, festuesit nderojnë dy datat e shenjta të historisë sonë kombëtare.
Në fjalën e tyre, presidenti i shoqatës, prof. dr. kol Gëzim Mustafaj i cili mes të tjerash tha:
“28 nëntori, është një datë që përkon me shumë ngjarje historike për kombin shqiptarë. Më 28 nëntor 1443, Skënderbeu në kështjellën e Krujës ngriti flamurin kombëtar. më 28 nëntor 1912, Ismail Qemaili në Vlorë ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga ushtria dhe policia serbe, UÇK, ajo që do ti sillte lirine dhe pavarsinë Kosovës, pas disa vite në ilegalitet, doli hapur me uniformën, simbolin dhe flamurin kombtarë. më 28 nëntor lindi komandanti legjendar Adem Jasharit, që për çlirimin e Kosovës dha jetën së bashku me gjithë familjen e tij, duke luftuar dhe qëndruar heroikisht për 3 ditë me radhë përballë forcave ushtarake dhe policore Serbe. Ky vit më 29 nentor është edhe viti i 80- vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtimi fashist."
“Pavarësia e shpallur në Vlorë më 28 nëntor 1912”, vazhdoi kumtesën e tij prof. asc. dr. Gëzim Mustafaj,
“Është një produkt kompleks, shumë dimensional, shumë faktorësh. Ajo ditë sot quhet Dita e Pavarësisë së Shqipërisë por në fakt ajo u arrit me kontributin e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin në trojet e tyre nga Çamëria deri në Kosovë si dhe nga Durrësi deri në Luginën e Preshëvës. Më 28 nëntor 1912 në orën 14:05 do shpallej pavarësia e Shqipërisë, ndërsa flamuri do të shpalosej nga Ismail Qemali në orën 15:12 minuta nga dritarja ku ishte mbledhur Kuvendi. Në përbërje të kabinetit të saj të parë, si një ndër ministritë kryesore u përfshi edhe Dikasteri i Luftës apo i Mbrojtjes Kombëtare, me në krye një oficer madhor karriere, me shumë përvojë drejtimi, organizimi dhe luftarake, gjeneral brigade Mehmet Dërralla (Tetova). Detyrat e këtij dikasteri ishin që të organizonin mbrojtjen e territoreve. Pak muaj më pas, më 4 Maj 1913, u krijua edhe Shtabi Madhor, që përbënte njëherazi zyrën numër Një të Ministrisë së Luftës. Sot ne festojmë edhe 80-vjetorin e çlirimit të vendit nga pushtuesit fashist. Pak kohë mbas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u rendit në Aleancën Antifashiste Botërore, në krah të SHBA, BS dhe Britanisë së Madhe. Me krijimin e Frontit Nacional-Çlirimtar, lufta jonë u bë pjesë e luftës antifashiste botërore dhe u hodhën bazat e rreshtimit të Shqipërisë në Koalicionin Antifashist.”
Më pas përshëndeti kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, z. Astrit Huskaj, i cili në emër të kryetarit të Veteranëve të Luftës të UÇK-së, për disa nga anëtaret e shoqatës dha çertifikata mirënjohje për kontributin e tyre gjatë luftës në Kosovë.
Në vazhdim përshëndeti kryetari i degës së Vatrës për Queens, z. Skënder Myrtezani. Atmosfera u zbukurua me këngët patriotike të cilat na ngritën zemrat peshë. Mbresat si përherë janë të shumta, por në këtë ditë të shënuar do të veçoj momentin kur, nëpërmjet një torte të përgatitur enkas për këtë, të gjithë anëtaret e shoqatës i uruan datëlindjen një nga nismëtarëve të krijimit të shoqatës, njëkohësisht edhe nga kontribuuesit kryesorë anëtarit të bordit dhe kryetar i Deges së Queens. z. Përparim Sehitaj.
Nën tingujt e muzikës, valles, trokitjes së gotave, dashamirësisë dhe mikpritjes vazhdoi gjithë aktiviteti. Faleminderit të gjithë pjesëmarrësve dhe të ftuar që nderonin me pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet.