Qeriba Hoxha-Derri, luftëtarja e LANÇ-it, komandante dhe përgjegjëse e gruas, lindi në vitin 1905, në një familje me tradita atdhetare, në fshatin Matogjin të Vlorës. Idetë e mëdha të Rilindjes dhe të pavarësisë kombëtare, u ngulitën që kur ishte fëmijë tek Qeribaja.
Ishte fëmijë 5-vjeçar kur nga jeta iu larguan babai dhe pastaj edhe nëna. Atë e zunë hallet dhe po rritej në mes të vështirësive e varfërisë. Rapsodi popullor i ka kënduar: “Qeriba, moj varfanjake/ Moj e rritura bonjake/ Jeta jote gjithë plagë/ U rrite pa nënë e babë”.
Të afërm dhe fisi Hoxha u kujdesën për të si për vajzën e tyre. Filloi të mësonte në shkollën e Matogjinit, ku mësues ishte atdhetari i madh, Halim Xhelo Tërbaçi. Ajo u martua me ushtarakun Shaqo Derri, i cili më vonë do të bëhej një nga atdhetarët e krahinës së Mesaplikut. Kështu Qeribaja përballoi me vendosmëri vështirësitë e jetës, përmes të cilave kalitej dhe bëhej e pathyeshme, sa në fshatrat Matogjin e Bashaj, e deri në Vlorë. Veprimtaria atdhetare e saj filloi që në Luftën e Vlorës 1920, ku u aktivizua në prapavijë si mblidhte bukë e municione që dërgoheshin në vijën e frontit. Ajo merrej dhe me mjekimin e të plagosurve dhe ndihmonte familjet që ishin në vështirësi.
Shaqo ishte oficer i Qeverisë së Nolit në vitin 1924.
Regjimi i mbretit Zog e ndoqi, por ai emigroi në Francë. Qeribaja mbeti në Smokthinë me familjen e të shoqit. Në vitin 1930, ajo siguroi vajtjen pranë bashkëshortit në Francë. Në Francë filloi një jetë e re. Ajo u takua me mësuesin e Matogjinit, Halim Xhelo. Të dy bashkë u ndodhën në krahë të tij. Qeribaja filloi të zhvillonte veprimtari dhe si aktiviste u zgjodh anëtare e Komitetit të Çlirimit Nacional (KÇN), që vepronte në mërgim.
Ajo ishte e vetmja grua shqiptare që punonte me punëtorët francezë. Kjo detyrë e bëri që të mësonte frëngjishten. Qeribaja u bë kështu një aktiviste e palodhur dhe propagandiste e flaktë e idesë së çlirimit kombëtar në radhët e punëtorëve shqiptarë të emigruar në Francë. Si arkëtare e degës të KÇN-së, mbante ndihmat e grumbulluara nga punëtorët emigrantë shqiptarë për nxjerrjen e gazetës “Liria Kombëtare”.
Në vitin 1933, Qeribaja dërgohet me detyrë në Shqipëri, ku bëri lidhje me antizogistët dhe shpërndau materiale propagandistike. Ajo e bëri disa herë rrugën nga Parisi në Shqipëri, duke plotësuar detyrat që i caktoheshin. Të gjithë fshatrat e Lumit të Vlorës e njihnin Qeribanë, sepse ajo dallohej si agjitatore dhe grua e thjeshtë. Kur shkonte në Bashaj ajo vishej me çitjane labe, merrte tërkuzën dhe shkonte me shoqe në mal për dru e në ara për të punuar. Në këtë mënyrë ka vepruar për të humbur gjurmët e punës patriotike që bënte në popull, por sidomos me masën e grave dhe të vajzave. Ajo jetoi për një kohë të gjatë në Francë.
Diskutonte me gra e vajza dhe dëgjohej me vëmendje prej tyre. Duke qenë anëtare e degës së Komitetit të Çlirimit Nacional, ndihmonte shokët për raportin që përgatitej lidhur me Shqipërinë. Në vitin 1937 vjen përsëri në Shqipëri. Shkon në Tërbaç, ku ngushëllon familjen e Halim Xhelos, për vdekjen e tij. Në vitin 1938 kthehet përsëri në Francë dhe raporton tek Ali Kelmendi për gjendjen në Shqipëri. Takohet dhe me anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar”, si me Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Bahri Omarin etj. Veprimtaria e saj patriotike dhe revolucionare, bëri që Qeribaja të përfshihej në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në vitin 1939, ajo bashkë me Shaqon kthehen në Shqipëri dhe shkojnë në fshatin Bashaj të Smokthinës. Që ditët e para të pushtimit fashist të Shqipërisë, edhe Qeribaja u rreshtua së bashku me luftëtarët e lirisë, për çlirimin e vendit nga pushtuesit. Qeribaja e gjeti Smokthinën dhe gjithë Mesaplikun që flakëronte nga lufta për çlirim, ku dëgjohej dhe kënga: “Moj krahinë e Mesaplikut/ Të griu gryka e çelikut/ Top e mortaj’ e armikut”. Dhe jo pak luftëtarë, e sidomos gra, mblidheshin rreth Qeribasë. Për veprimtarinë luftarake të Qeriba Derrit flasin edhe dokumente të armikut. Në raportin e zëvendësprokurorit të Vlorës drejtuar Policisë, më 31 dhjetor 1942, thuhet se midis 100 grave pjesëmarrëse, katër prej tyre janë kryesore, midis këtyre Qeriba Derri. Kuestura e Vlorës urdhëroi që kjo të largohet nga qyteti për Smokthinë.
Shtëpia e saj u bë bazë e partizanëve dhe e ilegalëve. Fashistët kishin rënë në gjurmët atdhetare e revolucionare të saj dhe e kishin vënë në rreth të kuq. Qeribaja vepronte në qytet e në fshat, sidomos në Mesaplik. Në korrik 1943, zgjidhet përgjegjëse e këshillit krahinor të gruas për zonën e çliruar të Mesaplikut, ku më parë kishte organizuar mbledhjen e grave dhe të vajzave në fshatrat Ramicë, Brataj, Tërbaç, Vranisht etj. Pranohet anëtare e partisë në celulën e Smokthinës.
Qeribaja u bë një organizatore e dalluar e grave në Lëvizjen Antifashiste të zonës së Mesaplikut e të Lumit të Vlorës. Ajo ishte e kudondodhur. Në Operacionin e Dimrit të vitit 1943-1944, shoqëroi të plagosurit nga Bolena për në spitalin partizan të Poliçanit në Gjirokastër. Ajo gjendej pranë nënave e motrave, të cilave u jepte kurajë, për rënien e luftëtarëve në luftë. Kështu vepronte edhe në radhët partizane, ku ishte në vijat e para të luftës dhe në prapavijë, duke vepruar me energji dhe pa u trembur nga vështirësitë. Ishte bërë e pranishme e gjendej në çdo vatër fshatari. Respektohej e nderohej jo vetëm në Smokthinë, por në tërë zonën e Mesaplikun dhe më gjerë, në Kurvelesh e Labëri. Populli i këndonte: “Në Shushicë kur u ktheve/ fishekë e gjerdan mbërtheve/ çave përpara s’u ktheve/ rrugët me gjak i leve”. Në Operacionin e Dimrit, në janar 1944, Qeribaja ndodhej bashkë me batalionin e dytë të Br.V S, në Grykë Pishë në Bolenë. Vendi ishte i mbuluar me dëborë. Korrieri që vinte nga Bolena soli lajmin se të gjitha rrugët për në Bolenë ishin të zëna nga gjermanët. Në këtë situatë kritike mbetej që rrethimi të çahej me sulm. Në këto çaste të vështira ajo u tregonte partizanëve episode nga heroizmi i komunarëve të Parisit, duke i mbushur luftëtarët me frymëzim për luftën e drejtë që bëjnë. Batalioni partizan vazhdoi rrugën për të çarë rrethimin, ndërsa ajo kaloi në pyjet e Çipinit, ku shumë familje smokthinjote ishin strehuar për t’i shpëtuar masakrave të nazi-ballistëve.
Në këto rrethana ajo mbajti lart moralin e popullit, të grave, por u diktua nga spiunët ballistë, u kap befasisht me të kunatin, Elmazin, e tradhtuar nga njerëz të shitur tek pushtuesi nazistë dhe e burgosën në burgun e Vlorës. E mbajtën disa javë në burg. E torturuan. I kërkonin të hiqte dorë nga lufta, nga idealet e saj. Por edhe në burg, ajo qëndroi e pamposhtur, si trimëreshë edhe u dha trimëri të burgosurve nga trimëria e saj. Edhe në burg, Qeribaja u fliste shoqeve të tjera për guximin që duhej të kishin vajzat dhe gratë shqiptare, për besimin që duhej të kishin në fitoren e luftës. Në njoftimin që prefekti i Vlorës i bënte Ministrisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, nga Vlora, më 28 shkurt 1944, thuhej se: “Kemi nderin t’ju njoftojmë se, më datë 14 të këtij muaji është arrestuar prej organizatave të Ballit Kombëtar të Vlorës gruaja e quajtur Qeriba Derri, bija e Muhametit dhe e Nefizes, bashkëshorte e ish-kapitenit Shaqo Derri, vjeç 36, pa fëmijë, lindur e banues në katundin Matogjin, Smokthinë të komunës Brata. Qeribaja ka qenë një grua e rrezikshme komuniste dhe një nga eksponentët që ka zhvilluar propagandë në klasat femërore të kësaj prefekture dhe të Gjirokastrës, madje duke qenë në bashkëpunim me çetat komuniste, e arratisur”.
Më 4 prill 1944, ballistët, mercenarët dhe nazistët e nxorën nga burgu bashkë me kunatin e saj Elmaz Derrin, si dhe partizanët Zenel Prushi, Çize Arifi dhe Refat Hila. I rreshtuan të pestë përpara ish-xhamisë së Tabakëve për pushkatim. Qeribaja në këto moment thirri: “Gjaku ynë do të merret…”. Në njoftimin që prefekti i Vlorës i dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, thuhej se: “Ju parashtrojmë se më datën 4.4.1944, në tregun e këtij qyteti u pushkatuan 5 (pesë) komunistë të rrezikshëm. Të ekzekutuarit janë: Qeriba Derri, komuniste e terroriste nga Smokthina, e burgosur. Bashkangjitur ju paraqesim dhe një shpallje me dy kopje rreth ekzekutimit të tyre”.
Armiqtë e pushkatuan Qeribanë, por ajo mbeti e gjallë, jo vetëm në zemrat e smokthinjotëve, por të mbarë popullit shqiptar. Me qëndresën heroike, edhe pse ndodhej para pushkatimit, mesazhi i saj për shokët e shoqet bashkëluftëtarë ishte: “Lart zemrat!”. Dhe hyri në zemrat dhe këngën e partizanëve e të popullit dhe u dëgjua kënga: “Gjithë e panë Qeribanë,/ trimëreshën e paepur/ edhe përpara gestapos/ nuk iu shua buzë e qeshur”.
Populli i këndoi Qeribasë: “Tek Sheshi i Vlorës, te xhamija/ shumë e hidhur historia/ Smokthinës iu vra e bija/ më lart u ngrit trimëria”. Qeriba Derri është shpallur dëshmore e Atdheut dhe Heroinë e Popullit. Emrin e saj e mban shkolla 9-vjeçare në Bashaj, si dhe një rrugë në qytetin e Vlorës. Për të është shkruar nga gjenerali Bako Dervishaj libri “Qeriba Derri - bija e Labërisë”. Për veprimtarinë dhe trimërinë e saj janë thurur dhe këndohen mjaft këngë, poezi, si dhe janë bërë skica e portrete, deri edhe Posta Shqiptare e ka etiketuar në një pullë zyrtare, etj. Në çdo përvjetor populli e nderon dhe përulet me respekt para jetës dhe veprës së saj heroike.