Memo Nexhip Bejko lindi në vitin 1926 në fshatin Dukaj të Tepelenës, në një familje me tradita të hershme atdhetare dhe i edukuar nga i ati për t’u bërë një luftëtar trim për çlirimin e vendit.
Babai i tij, patrioti dhe luftëtari Nexhip Bejko, kishte marrë pjesë në luftën kundër andartëve grekë, në vitin 1943-1944 dhe në luftën e Vlorës 1920, kundër pushtuesve italianë. Memo, që nga viti 1943 përqafoi idetë e LANÇ-it dhe mori pjesë aktive në Çetën Territoriale të Tepelenës. Me krijimin e Batalionit Partizan “Baba Abaz” rreshtohet në radhët e tij me armë në dorë dhe mori pjesë aktivë në të gjitha luftimet që zhvilloi ky formacion i lavdishëm partizan. Më pas kaloi partizan në radhët e Brigadës II Sulmuese.
Më 2 gusht 1949, forcat ushtarake greke nisën sulmin ushtarak, duke goditur me murtaja dhe artileri kodrën 1309 mbi fshatin Vidohovë. Predhat ranë 300-400m në thellësi të territorit shqiptar. Në orën 05.00 filloi sulmi i ushtrisë greke, me 70 mijë forca këmbësorie 50 avionë, 400 topa artilerie e 80 tanke të Br.5IF e Br.5 2F të DIF. Sulmi i tyre ndeshi në mbrojtjen e rojeve të kufirit shqiptar, të cilët nuk ishin më shumë se një togë. Luftimet vazhduan të ashpra nga kufitarët, derisa mbërritën me shpejtësi ndihmat e forcave luftarake të Divizionit 8 të Korçës me 10 mijë ushtarë dhe me 30 mijë të tjerë në gatishmëri pranë zonës së luftimeve. Lufta vazhdoi shumë e ashpër. Kodrat e Vidohovës ishin ndezur flakë. Memo Nexhipi, që drejtonte forcat tona kundër atyre të monarko-fashistëve grekë, luftonte me mitraloz në dorë dhe me trimëri të rrallë në ballë të sulmit. Kjo betejë zgjati nga 2 deri më 15 gusht 1949. Monarko-fashistët grekë gjatë luftimeve lanë 300 të vrarë, 500 të plagosur e 270 robër, duke u tërhequr me turp. Në këto luftime të ashpra, nga pala shqiptare ranë heroikisht në fushën e nderit 29 ushtarakë dhe u plagosën 127 të tjerë. Mbetën të pavdekshëm në Altarin e Lirisë, “Heroi i Popullit” Memo Nexhipi, oficerët Ferit Bregasi e Novrus Danaj, ushtarët Tafil Ferhati, Shyqyri Avdiu, Ibrahim Fetahu, Jonus Hajdini, Muharem Veizi, Fari Totolaku, Vangjel Prifti, Mehmet Muslia, Qazim Manka, Ismail Iljazi, Sherif Pitaj, Prini Dedaj, Avdulla Hida, Estref Barjami, Sherif Acani, Rexhep Demilo, Tofik Rolli, Vasil Golemi, Shyqyri Gërmenji, Taulla Saliasi, Teki Kalemasi, Qani Rama, Selman Gjoni, Llambi Ndreko, Hasan Gjyzeli e Hasan Ramadani. Të gjithë dhanë jetën në mbrojte të Atdheut.
Në këtë 75-vjetor të rënies së tyre, i kujtojmë me nderim të thellë, duke u përulur përpara veprës tyre të pavdekshme dhe të lavdishme