Baba Meleq Shëmbërdhenji, personalitet i shquar i Rilindjes Kombëtare. Për fillimin e punës së tij si klerik dëshmon gazeta “Liria” e Selanikut, e 16 tetorit 1910, e cila shkruan: “Mësuam se të palodhurin mëmëdhetar Meleqin e paskan zgjedhur baba në teqenë e Shëmbërdhenjit”.
Në vitin 1902 e arrestojnë në Krujë dhe e burgosin. Arratiset nga burgu, por punën për gjuhën shqipe nuk e ndalon. Ishte një ndërlidhës i shkëlqyer midis atdhetarëve të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut. Vetëm në vitet 1904-1905 shpërndau rreth 2.000 libra dhe abetare shqip nga Frashëri deri në fshatrat e Krujës. Gëzonte respektin e atdhetarëve brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ka qenë delegat në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 dhe ka dhënë kontribut të veçantë për punën dhe idetë e këtij kongresi. Mori pjesë në gëzimin e ditës së Flamurit më 28 nëntor 1912 në Vlorë. Mbështeti fort qeverinë e Ismail Qemalit.
Baba Meleqi ka qenë edhe një dijetar e vjershëtar i spikatur. Vjershat e tij dallohen për frymën e shprehur kombëtare. Ato nxisnin zgjimin e ndjenjës së besimit, të mirëqenies, drejtësisë dhe mirësisë. Për Baba Meleqin, atdheu dhe perëndia ishin një. Për veprën atdhetare në shërbim të kombit, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ka dekoruar Baba Meleqin (pas vdekjes) me urdhrin “Për shërbime patriotike”, si dhe me titullin “Mësues i Merituar”. Pas vdekjes, më 25 shkurt 1927, Baba Meleqi u varros në tyrben e Baba Mustafait, ku qëndroi deri në fund të viteve ’60. Më pas u vendos në varrezat e dëshmorëve në Skrapar për t’u kthyer përsëri në “shtëpinë e tij”, në Teqenë e Shëmbërdhenjit, pas viteve ’90. Është shkruar në FESH.
Në vargun e dëshmorëve të Atdheut nga klerikët bektashinj, vendin e nderit e zë kryegjyshi Sali Njazi Dede, i cili qëndroi stoik si mali i Tomorit dhe nuk pranoi presionet nga qarqet profashiste për të aprovuar dhe firmosur pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Ai nuk u nënshtrua dhe më 28 nëntor 1941, ai ra dëshmor, duke dëshmuar traditën e bektashizmit, e cila është përmbledhur në idenë “pa atdhe, nuk ka fe”. Ai bëri të mundur sjelljen e Qendrës Botërore të Bektashinjve në Shqipëri, duke mbetur në përjetësi krenaria e të gjithë shqiptarëve, modeli me dije të mëdha të një kleriku, shfaqi tolerancë dhe urtësi, u shfaq reformatori i parë i besimit bektashi, duke e ngritur atë në nivele të larta përfaqësimi në botë. Ai kishte ndjenjën e lartë të atdhedashurisë dhe e ngriti bektashizmin në Shqipëri në një përmasë të re historike, duke pasuruar traditën bektashiane që vazhdon dhe sot. Me këtë qëndrim vërtetoi thënien e Haxhi Bektash Veliut, se me fikjen e dritës nga Lindja, ajo ka për t’u ndezur në Perëndim. Sali Njazi Dede është shpallur dëshmor i Atdheut nga Bashkia e Tiranës me vendim nr. 505, datë 20.12. 2011, është dekoruar nga presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit” dhe nga Posta Shqiptare është vendosur në pulla portreti i tij, si figurë e shquar e kombit. Emri i tij ka zënë vend të dukshëm dhe në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, të botuar në vitin 2008, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë.
Një vend nderi zënë klerikët e Teqesë së Rabies, të cilët qëndruan në këmbë dhe ndihmuan pa u kursyer luftën, e kthyen teqenë në çerdhe të lëvizjes, vunë tërë kapitalin e tyre për partizanët dhe lëvizjen. Teqeja është dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” në vitin 1945.
Baba Abaz Sherif Memushaj, nga Rabia. Kur atdheu e kërkoi u bë luftëtar në vitet e Luftës së Parë Botërore dhe në Luftën e Vlorës 1920. Teqeja e Rabies ishte në një pozicion strategjik, ku zotëron tri krahina: Berat, Mallakastër dhe Tepelenë. Batalioni partizan që u krijua pas masakrës, u pagëzua me emrin e klerikut të nderuar “Baba Abaz”. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 03.08.1971, të Komitetit Ekzekutiv Tepelenë.
Dervish Bajram Lame Lamaj nga Levani i Tepelenës. U edukua në një familje fisnike me tradita bektashiane dhe atdhetare. Teqeja e Rabisë i shtoi dashurinë për besimin e mrekullueshëm. U vesh dervish në teqenë e Prishtës dhe më pas kaloi në teqenë e Rabies që e kishte për zemër. Kleriku më i ri para pushkatimit, më 23 korrik 1943, thirri “Rroftë Shqipëria”. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 151, datë 27.12.1979 të Komitetit Ekzekutiv Tepelenë.
Dervish Feim Haxhi Mahmutaj nga prindërit u edukua me dashuri për besimin bektashian, por dhe për veprimtarinë fetare dhe patriotike të baballarëve dhe dervishëve në teqetë e vendit. Në vitin 1941 ishte dervish në teqenë e Rabies dhe baba Abazi e orientoi që të përkrahte Luftën Nacionalçlirimtare. Në vinin 1942 u në anëtar i çetës territoriale të fshatit Gllavë. Masakrohet më 23 korrikut 1943, në teqenë Rabies dhe është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 44, datë 03.08.1971 të Komitetit Ekzekutiv Tepelenë.
Dervish Bardho Rustem Bardhi u lind në Gusmar të Tepelenës, në një familje me tradita bektashiane. Prindërit i dhanë edukatë dhe dashuri për besimin bektashian. U dallua si aktivist i Lëvizjes Antifashiste dhe ishte ndërlidhës i çetave e batalioneve në vitet 1942-1943. U masakrua në italianët në Rabie, më 23 korrik 1943. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 149, datë 27.12.1984, të Komitetit Ekzekutiv Tepelenë.
Në listën e dëshmorëve të Atdheut janë dhe Baba Faja Martaneshi “Hero i Popullit”. Mustafa Dalip Xhani, gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane, shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 161, datë 29.12.1971, të Komitetit Ekzekutiv të Tiranës. Figura e tij është pasqyruar në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 dhe 2008. Në FESH shkruhet se u vra më 17 prill 1947, në Kryegjyshatën Bektashiane Botërore në rrethana të pasqaruara, dhe nuk theksohet që është dëshmor i Atdheut.
Dëshmor i Atdheut është dhe Baba Fejzo (Fejzo Shaban Dervishi), me vendim nr. 103, datë 31.07.1977 të Komitetit Ekzekutiv të Skraparit. Gjatë luftës ka qenë anëtar i shtabit të Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër 1943-1944. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 dhe të vitit 2008, për të dy figurat nuk shkruhet që janë shpallur dëshmorë të Atdheut.
Martirë bektashinj të rënë për atdhe
Meritojnë vlerësim nga shteti shqiptar për kontributin e tyre të dhënë për çështjen kombëtare dhe për gjakun e sakrificat e tyre të shpallen dëshmorë të Atdheut, sipas ligjit 109/2018 dhe këta martirë të bektashizmit.
Kryegjysh Ali Riza Dede, gjatë Luftës së Dytë Botërore dha një kontribut në përkrahje të luftës për çlirimin e Atdheut, duke aktivizuar baballarë dhe dervishë në Luftën Antifashiste. Këshilli klerikal e zgjodhi baba Rizanë, Kryegjysh Botëror të Bektashinjve, më 10 janar 1942. Si Kryegjysh përfundoi godinën e madhe që ngriti Sali Niazi Dede dhe organizoi punën brenda e jashtë vendit në forcimin e bektashizmit. Vdekja e tij, më 22 shkurt 1944, në spital në Tiranë ka ngjallur që në atë kohë dyshime… dekoruar me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit I dhe titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës.
Kryegjysh Kamber Ali Dede prej 12 prillit 1945, dhe u arrestua e dënua me 15 vite burg, ku ka vuajtur dhe ndërroi jetë në burgun e Tiranës, më 5 prill 1950. Dekoruar me urdhrin “Për veprimtari patriotike” të Klasit I dhe titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës.
Kryegjysh Abaz Hilmi Dede, u bë prijës shpirtëror në vitet 1945-1947. U kujdes që doktrina bektashiane të fitonte vizione të reja, por pa trazuar dëlirësinë e prurë prej 800 vitesh nga Haxhi Bektash Veliu. Në vitin 1947 kryegjyshi iu kundërvu grupit “Përparimtar” që mori përsipër autorësinë e reformës në çështjen e martesës. Dede Abazi vlerësuar me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” dhe titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës.
Baba Medin Gllava ishte në krye të çetës së luftëtarëve në vitin 1907 në përballje me armë kundër antishqiptarëve dhe pushtuesve të shumtë. Baba Medin Gllava në luftën kundër andartëve grekë plagoset dhe ndërroi jetë nga plagët e marra në luftime. Vlerësuar nga princ Vidi me “Medaljen e Artë”.
Baba Sali Matohasani, shërbente në teqenë e Golimbasit. Ismail Qemali, projektuesi i shtetit të pavarur shqiptar, kërkoi që flamurin ta bekonte patrioti i madh dhe bektashiu largpamës baba Sali Matohasani. Vlerësuar me medaljen “Për veprimtari patriotike” në vitin 1982, me titullin “Nderi i Kombit” nga presidenti i Republikës dhe busti i tij është vendosur në Matohasanaj.
Baba Ali Turabiu (Skëndaj) u rrit në një familje me tradita bektashiane dhe ruajti këtë besim përgjithmonë. Është marrë shumë me publicistikë, ka botuar shumë libra me vlera për doktrinën bektashiane, ndaj në vitin 1945 u bë anëtar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Ka pritur mjaft luftëtarë të lirisë pa bërë dallime politike. Pas çlirimit të vendit, arrestohet dhe akuzohet si bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve. “Ruani dorëshkrimet e mia, rroftë Shqipëria” ishin fjalët e tij. Veprimtaria e tij lidhet me gjuhën, shkollën dhe kulturën kombëtare. Dekoruar me medaljen “Martir i Demokracisë” dhe me titullin “Nderi i Kombit”.
Baba Feim Vrepcka, lindur në vitin 1900, shumë shpejt u bë i njohur si baba, i ardhur nga Devolli në vitin 1927. Baba Feimi me horizont dhe kulturë, në vitin 1932-1939 e ripërtëriu teqenë që nga themelet. Ndërtoi çezmën e bukur në vitin 1932 me tre qemerë monumentale me mbishkrimin: “Pini ujë me lezet kthejeni prapë në teqetë”. Teqeja e Vrepckës 1942-1944 ishte spital për zonën e lirë operative, u ngrit dhe një central elektrik.
Më 6 qershor 1944, në teqe shkuan nazistët gjermanë. Baba Feimi për të mbrojtur teqenë dhe djemtë ai ra dëshmor. Baba Feimi ka hapur shkollë në Vrepckë dhe Zerecë. Teqeja e Vrepckës është shpallur Monument Kulture me vendim nr. 6 datë 15.1.1963.
Baba Shefqet Koshtani merr pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlorë. Në kongresin e parë të bektashinjve ishte në mbrojtje të grupit reformator, që perspektivën e besimit e kishin të pandarë nga kombi. Priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u lidh me patriotë e përkrahu lëvizjen. Teqeja e Koshtanit u bë bazë e luftës. Pas çlirimit u akuzua për sabotim të reformave… u pushkatua.
Baba Mustafa Canaj punoi në teqenë e Prishtës dhe zgjeroi radhët e besimit të kulluar edhe me intelektualë dhe atdhetarë të shquar. Ishte në protestë me atdhetarët e Skraparit, dënoi agresionin Italian dhe ngriti popullin në luftë. Në mjaft kuvende apo biseda të atyre kohërave, baba Mustafa Canaj, haptas mbajti krahun e nacionalistëve shqiptarë. Në majin e vitit 1945 u arrestua dhe u dënua me 101 vite burg.
Baba Qamil Gllava mori edukatë fetare, u shkollua në Berat dhe u vendos në teqenë e Gllavës. Teqeja e Gllavës u bë qendra e luftës kundër pushtuesve italianë dhe në korrik 1943 u arrestua, pse ndihmonte luftëtarët e lirisë. Ai ishte nacionalist, donte popullin dhe Atdheun, duke pritur në teqe të gjithë pa dallim ideje. U arrestua në tetor 1944, duke u akuzuar kriminel lufte dhe shkaktar të vrasjes së baba Abaz Rabies. U pushkatua në moshën 45 vjeçare.
Nga radhët e bektashinjve në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare llogariten rreth 6.000 luftëtarë, kanë rënë tetë dëshmorë të Atdheut, janë vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” katër kryegjysh dhe dy baba, si dhe baba është “Mësues i Merituar”, pa llogaritur vlerësimet e tjera të bërë në vite për kontributin e tyre në shërbim të Atdheut. Bektashizmi me misionin e tij “pa atdhe nuk ka fe”, në çdo kohë e ka nuhatur erën e barutit ende pa u shkrepur pushka. Të rënët bektashinj në fronte të ndryshme të luftës mbeten pjesë e pandarë e lavdisë shqiptare. Asnjëherë populli ynë s’i ka veçuar këta martirë nga bijtë e tjerë, dëshmorë të Atdheut.