Në kremtim të 80 - vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, Organizata Kombëtare e Dëshmorëve të LANÇ dhe të Dëshmorëve të tjerë të Atdheut organizoi një takim jubilar, qëllimi i të cilit është të nderojë kontributin e dëshmorëve dhe veteranëve në këtë datë duke vlerësuar sakrificën e tyre për lirinë e vendit dhe të rrisë ndërgjegjësimin për këtë periudhë vendimtare në histori përmes kumtesave të të pranishmëve.
Organizatorët synojnë të përkujtojnë 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtimi nazist. Kjo ngjarje përfaqëson kulmin e një lufte të gjatë dhe të përgjakshme që kërkoi sakrificën e shumë patriotëve, të cilët me guxim dhe vendosmëri luftuan për lirinë e atdheut të tyre. 29 nëntori shënon ditën e triumfit të popullit shqiptar, një ditë që ka një rëndësi të paçmuar për historinë tonë kombëtare dhe që u përcjell brezave të ardhshëm mësime të rëndësishme.
Dr. Gjergji Velo, kryetar i Organizatës Kombëtare për Dëshmorët e LANÇ dhe Dëshmorët e tjerë të Atdheut, i cili mbajti dhe fjalën e hapjes u shpreh:
“Në këtë 80- vjetor të çlirimit të atdheut, Bashkia Tiranë në bashkëpunim me Organizatën Kombëtare të Dëshmorëve të LANÇ dhe të Dëshmorëve të tjerë të Atdheut, organizon këtë takim jubilar me ju nëna, motra, vëllezër e nipër të dëshmorëve të atdheut. Personalisht e kam kërkuar të kishim në këtë veprimtari pushtetin vendor e atë qendror dhe ja ku kemi këtu mes nesh Presidentin e Republikës, z. Bajram Begaj, ish -presidentët e Republikës, z. Alfred Moisiu, z. Rexhep Meidani dhe z. Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Elisa Spiropali, zëvendëskryeministren znj. Belinda Balluku, kryetarin e Bashkisë, z. Erjon Velija, ministren e Arsimit znj. Orgesa Manastirliu, prefektin e Tiranës, z. Afrim Qendro, kryetarin e Këshillit të Qarkut z. Aldrin Dalipi, nënkryetarin e Bashkisë z. Andi Seferi, kryetaren e këshillit bashkiak, znj. Romino Kuko, deputetë dhe të tjerë. Ju uroj mirëseardhjen në këtë takim jubilar!
Në prag të dy datave historike, 28 dhe 29 Nëntori organizojmë këtë takim festiv për të nderuar bijtë më të lavdishëm të Shqipërisë, veprën e të gjithë çlirimtarëve heroikë, Heronjtë e Popullit dhe Dëshmorët e Atdheut, që i kontribuon 28 Nëntorit të lavdishëm, si dhe ata që ranë e mbetën përjetë lapidarë për 29 Nëntorin e Çlirimit të Shqipërisë.
Historia e popullit është histori lavdie. Që të vinte 28 Nëntori, Dita e Mëvetësisë Kombëtare, u desh të luftohej pa ndërprerë për t’u shkëputur një herë e përgjithmonë nga sundimi i gjatë otomanë dhe për t’iu bashkuar Europës, si shtet më vete.
Për këtë kauzë luftuan, ranë dhe mbetën lapidarë shumë nga trimat e pushkës e të penës së periudhës së Rilindjes, si dhe shumë luftëtarë të çetave të para kryengritëse dhe të Lirisë.
Dita e 28 Nëntorit, që është futur në histori si Dita e Flamurit, ka qenë dhe ka për të mbetur përmendore e lartë historie. Gjejmë rastin t’u drejtojmë plakut të urtë të flamurit, Ismail bej Vlorës dhe patriotëve të tjerë firmëtarë të Aktit të Pavarësisë, tërë mirënjohjen tonë të thellë.
Edhe mbas 28 Nëntorit historik popullit tonë iu desh të mos e hiqte pushkën nga dora. Sepse kohët ishin të turbullta dhe situata në Ballkan e në Europë ishte tepër e rrezikshme. Duheshin mbrojtur kufijtë e juglindjes nga andartët grekë, por edhe viset e veriut prej
ndërhyrjeve të egra serbe. Në këto kushte, në jug e në veri të vendit, shqiptarët e rreshtuar në çeta atdhetare u vunë në mbrojtje të kufijve të shenjtë të Atdheut. Sot u përulemi dhe do të vazhdojmë t’u përulemi me shumë respekt këtyre bijve të pavdekshëm, që iu përgjigjën zërit të Atdheut dhe shumë prej tyre nuk kursyen as gjakun për çështjen e shenjtë të Shqipërisë.
S’janë të paktë të rënët e flijuar për drejtësi shoqërore dhe liri demokratike. Në vargun e gjatë të martirëve të sakrifikuar për emancipim shoqëror janë edhe tërë ato figura të shquara e të pavdekshme, që sot i kemi mbi piedestale të lartë. Pozicionuar në krahun e duhur të historisë, në krahun e atdhetarizmit, këta dishepuj të atdheut nuk u pajtuan me regjimin e Zogut, pranuan vetëmohim e deri edhe flijim të jetës së tyre.
Qofshin përherë të paharruar në mendjet dhe në zemrat tona!
Fashizmi mbetet kudo e kurdoherë fashizëm. Ai është rrezik i madh për çdo vend. Ja pse dhjetëra e qindra guximtarë shqiptarë kaluan male e dete dhe iu gjendën pranë popullit spanjoll në ditët e tij më të vështira për të asgjësuar bishën gjakatare fashiste. Dhe sot, nga ky takim solemn historik, ne u bëjmë homazh antifashistëve shqiptarë në Spanjë, që luftuan e mjaft prej tyre ranë për një kauzë të shenjtë: asgjësimin e bishës më të egër që ka njohur njerëzimi: nazizmit gjerman.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar është epopeja më e madhe e popullit shqiptar. E filluar kjo më 7 prill të vitit 1939, kur atdhetarët e vërtetë shqiptarë u përballën me mijëra pushtues italianë, Mujo Ulqinaku me shokë i dëshmuan Europës dhe botës se antifashizmi shqiptar ishte flamur lufte. Antifashistët me në krye Mujon u bën qëndrese heroike pushtuesve italianë. Mbreti Zog, që kishte premtuar se do të vishte opingat për të dalë malit për të luftuar kundër pushtuesve italianë, mbushi valixhet me flori dhe ia mbathi për jashtë shtetit. Mbasi hëngri drekë e darkë në Zemblak, tradhtoi Atdheun – Shqipërinë! Por shqiptarët u komanduan nga ndërgjegjja e tyre. Shkuan me vetëdije drejt flijimit në emër të Atdheut. Ndërkohë, kodrave të Pezës gjëmonte pushka e trimave të çetës së parë antifashiste në Shqipëri. Radio Londra i bënte të ditur Europës, se antifashistët e Myslim Pezës luftonin trimërisht dhe korrnin fitore kundër pushtuesve italianë. E ideuar, e frymëzuar dhe e udhëhequr nga Partia Komuniste Shqiptare, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, e realizuar në bashkëpunim edhe me nacionalistët e ndershëm dhe patriotë, që në fillimet e veta mori përpjesëtime të gjëra. Pas Konferencës së Pezës nisën e vazhduan të krijoheshin njëra mbas tjetrës çetat e para partizane, si dhe këshillat nacionalçlirimtare. Nuk do të vononte shumë dhe më 10 korrik 1943 do të krijohej në Elbasan, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare me komandant Major Spiro Moisiun dhe komisar Enver Hoxhën dhe vetëm një muaj më pas, më 15 gusht 1943, do të krijohej në Vithkuq, Brigada I Sulmuese Partizane, e cila do të pasohej edhe nga shumë të tjera.
Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e Popullit Shqiptar ka qenë, është e do të mbetet medalion historie për atdheun. Pinjollët e Ballit Kombëtar, por edhe disa pseudo historiane servilë të pushteteve të radhës përpiqen ta njollosin këtë luftë me të ashtuquajturën luftë civile, por e kanë marrë të qartë përgjigjen nga pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve, nga pasardhësit e veteranëve të luftës, si dhe nga kushdo tjetër që i dhimbset atdheu.
E njohur zyrtarisht nga aleatët e mëdhenj anglo – sovjeto – amerikan në dhjetor të vitit 1942, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar vazhdoi të ndizej flakë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë kufijve shtetërorë të saj. Në vijim të planeve që zbatonte koalicioni antifashist botëror, me urdhër luftarak të komandantit të përgjithshëm, disa brigada partizane kaluan matanë kufirit shtetëror dhe vazhduan t’i ndiqnin nazistët gjermanë këmba – këmbës edhe në trojet e Kosovës martire dhe të ish - Jugosllavisë, gjatë të cilave ranë e mbetën yje të pashuar rreth 60 partizanë, 20 prej të cilëve ishin komisarë.
Përjetë lavdi trimave që ranë në Kosovë dhe në trojet jashtë kufijve shtetërorë!
Gjatë këtyre tridhjetë e katër viteve demokraci kanë rënë në krye të detyrës mbi 250 punonjës të Policisë së Shtetit, që tashmë kanë zënë vend në gjerdanin e artë të Dëshmorëve të Atdheut.
Qofshin përjetë të paharruar!
Ndërsa kujtojmë e nderojmë dy datat lapidare, 28 dhe 29 nëntorin, veprën e dëshmorëve që çuan në këto dy lapidare, nuk mund të mos kujtojmë e të mos përkulemi me plot nderim edhe përpara të rënëve të lavdishëm të vëllezërve tanë në Kosovë. Epopeja e Adem Jasharit nuk ka për t’u harruar kurrë. Gjaku i heronjve dhe i dëshmorëve të Kosovës gjendet në themelet e shtetit më të ri të Europës, Kosovës martire.
Të nderuar pjesëmarrës e të ftuar!
Shqipëria ka bërë dhe vazhdon të bëjë hapa të shpejta përpara drejt familjes së civilizuar europiane, drejt institucioneve të saja më të larta, në themelet e të cilave është antifashizmi. Le të punojmë të gjithë së bashku, që të forcojmë shtetin ligjor dhe të emancipojmë pareshtur demokracinë.
Në emrin tuaj, pjesëmarrës të nderuar, si dhe në emër edhe të rinjve që ndodhen këtu përsërisim mesazhin aktual: ta transmetojmë stafetën e lavdisë së Dëshmorëve nga brezi në brez! Ndërkohë, rikujtojmë atë çka kemi ngritur prej kohësh, që shteti të na përfshijë në protokollin e vet dhe në Ditën e Dëshmorëve të Atdheu të mbahet një minutë heshtje kombëtare për ata që kanë bërë luftën dhe që kanë dhënë jetën për interesat më të larta të Shqipërisë. Ri përsërisim kërkesën që simbolet e LANÇ dhe varrezat e të rënëve për Atdhe të urbanizohen për t’i bërë sikundër i ka Europa dhe bota e qytetëruar demokratike. Ndërkohë, do të ishte në nderin e shtetit në qoftë se do të krijonte një institucion që do të merrej me studimin e ngjarjeve më madhore të historisë së popullit tonë, filluar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe deri në ditët tona.
Lavdi dëshmorëve të LANÇ dhe dëshmorëve të tjerë të Atdheut!