Vendi dhe roli i gruas shqiptare në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare u karakterizua nga një pjesëmarrje masive e tyre në çeta, batalione dhe brigadat sulmuese. Ishin rreth 6.000 luftëtare në këtë rreshta partizane dhe i mijërave të tjera në qytet dhe në fshat që u bënë baza të sigurta dhe mbështetje e fuqishme e luftës.
Në luftën për çlirimin e kryeqytetit Tiranë, nga njësitë partizane ku ishin rreshtuar dhe luftuan, ranë dhe partizane, të cilat shkruan një faqe heroizmi për gruan dhe vajzën shqiptare, si luftëtare për çlirimin e vendit. Në luftën për çlirimin e Tiranës morën pjesë si luftëtare rreth 650 gra e vajza të rreshtuara në njësitë luftarake kryesore BrIS, BrIVS, BrVIIIS, BrXS dhe ndihmuese BrXXIIIS, BrXIIS, BrXIS, BrXVS.
“Duhet të luftojmë, jemi pa liri!”
Kur BrIVS çliroi Peshkopinë, në mes të partizanëve të shumtë dallohej dhe një vajzë e re që i ndriste fytyra nga gëzimi. Ishte Rukie Elez Roshi, që u inkuadrua në rreshtat e batalionit të katërt të brigadës. Rukia ishte e re dhe nuk i kishte kaluar të shtatëmbëdhjetat. Ajo kishte lindur në vitin 1927 në Begjunec, në Dibër. U rrit jetime pa nënë e babë, pa vëlla e motër.
Rukia mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi brigada. Ajo sulmonte, hidhej në sulm e para, kudo dallohej. Mbas luftimeve Rukia aktivizohej në grupin artistik të brigadës në këngë, në valle, etj.
Më 20 tetor 1944 në katundin Kashar, luftoi kundër nazistët për të marrë pozicione dhe për të bërë rrethimin e Tiranës. Kudo Rukia printe në ballë të skuadrës, sulmoi e ra heroikisht.
Rukie Elez Roshi është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 50, datë 30.06.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Peshkopisë.
“Përpara shokë, të ngrini sa më parë flamurin e fitores!”
Agllai Tako, kur mori vesh se brigada e saj do të sulmonte për çlirimin e kryeqytetit u shpreh: “Edhe unë do të jem luftëtare e çlirimit të Tiranës, e kryeqytetit tonë! Ç’ nder i madh që na bëhet.” - tha kur mori vesh lajmin se brigadës së saj i ishte besuar detyra e rëndësishme.
Rrobat partizane, kapela me yll në ballë, automatiku i shtrënguar në gjoks e burrëronin, partizanen nga Përmeti, të marrë pjesë në të gjitha luftimet që kishte zhvilluar kjo njësi luftarake e UNÇSH-së. Automatiku në dorën e saj ish bërë shok i pandarë dhe me të në beteja zbriti nga kodrat e Shën Prokopit, në rrugën e Elbasanit e drejt qendrës së Tiranës. Iu afruan çlirimit.
Me këto ëndrra hyri në Tiranë, në Tiranën e përflakur. Një mitraloz, nga një bunker i vendosur mu në qendër të qytetit, gërgëriste egërsisht dhe pengonte sulmin e partizanëve. Ngado ndiheshin krisma mitralozash dhe automatikësh të partizanëve dhe ndërmjet tyre edhe krismat e automatikut të Agllaisë. Një autoblindë gjermane vërtitej si një bishë e egër dhe qëllonte nga mundte. Agllaia ish shtrirë barkas dhe kish vënë në shënjestër një mitraloz gjerman që qëllonte nga dritarja e një pallati. Në çdo rrugë luftohej, në çdo rrugë ngriheshin barrikada. Ndërmjet luftëtarëve të lirisë ishte vajza e vogël që duke vrapuar, i afrohej asaj çerdheje mitralozi që villte zjarr nga dritarja e pallatit. Autoblinda e pengonte. Edhe bunkeri në mes të qytetit nuk e lejonte me të shtënat e tij që luftëtarja të kalonte matanë rrugës qendrore. Por … bunkeri në mes të qytetit u përflak. Një plasje e madhe granade e gozhdoi në vend autoblindën gjermane. Partizanët sulmuan. Agllaia qëlloi kundër mitralozit të vendosur në dritare. Mitralozi për një çast heshti... Agllaia u ngrit të sulmonte së bashku me shokët e saj. Pranë Lanës hodhi një bombë, zbrazi dhe një karikator kundër armikut, u shtri barkas për t’iu shmangur një mitralozi gjerman, pastaj u ngrit përsëri dhe sulmoi… Por një plumb e preu në mes. Shokët e saj vazhdonin të sulmonin. Ajo i pa… Pa dhe bunkerin në qendër të Tiranës që nxirrte flakë... kujtoi qytetin e luleve Përmetin, ku kish lindur në vitin 1926. Ishte data 11 nëntor 1944.
Agllai Tako është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 82, datë 17.08.1976 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Përmetit. Kryeqyteti, Tirana ka një rrugë me emrin “Agllai Tako”.
Bashkë me burrin dhanë jetën për lirinë
Sose Musai lindi në vitin 1924 në Bolenë të Vlorës në një familje atdhetarësh. Rritur dhe edukuar në këtë familje u aktivizua me lëvizje. Në vitin 1942 Sosja u martua me Rustem Memushajn nga Bolena, edhe kjo një familje patriote dhe shtëpinë e kishte kthyer në bazë të LANÇ-it. Këtu në këtë familje iu dha mundësia të aktivizohej me organizatën e gruas antifashiste të Bolenës. Në familjen Memushaj u strehuan mjaft materiale luftarake të BrVS dhe material të punëtorisë ushtarake të prapavijës. Shtëpia e familjes Memushaj u dogj gjatë luftës nga pushtuesit.
Rustemi që prej fundit të dhjetorit 1942 u bë pjesëtar aktiv i çetës territoriale vullnetare të fshatit Bolenë dhe mori pjesë në të gjitha aksionet si në Gjorm, në Borsh, në operacionin e dimrit të vitit 1943-1944, etj. Nga fundi i muajit mars të vitit 1944, në Bolenë erdhi lajmi se formohej BrVIIIS. Shumë të rinj të fshatit, midis tyre edhe Rustemi, u inkuadruan në radhët e saj. Sosja e përcolli burrin për në brigadën partizane dhe i tha: “Të vaftë mbarë Rustem!”, “Pooo. Të kuptova Sose, - iu përgjigj me vrap Rustemi, - do të bëj çmos të gjej rastin e të vij të të marr edhe ty”. “Unë do të pres!”, iu përgjegj Sosja.
Sosja e priti Rustemin, po ai nuk u kthye në Bolenë. Ajo e gjeti vetë momentin, kur një ditë të korrikut 1944, një grup partizanësh të BrVIIIS erdhën në fshat dhe prunë një partizanin të plagosur. Sosja u tha se kishte dhe bashkëshortin, e së bashku me partizanët udhëtoi midis maleve e grykave dhe më së fundi e gjeti BrVIIIS në Zagori të Gjirokastrës. Komanda e mirëpriti partizanen e re dhe e caktoi në kompaninë e tretë të batalionit të tretë. Kur brigada po kalonte lumin e Vjosës për në zonën e Beratit, Sosja dalloi midis partizanëve të batalionit të parë, bashkëshortin Rustem.
Sosja u dallua si partizane e shkathët dhe trime. Ajo ishte një aktiviste e mirë e organizatës së rinisë, por u zgjodh dhe përgjegjëse e rinisë në kompani.
BrVIIIS mori detyrë nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, për të qenë njëra nga njësitë që do të luftonte për çlirimin e kryeqytetit, Tiranë.
Në ditët e para të nëntorit BrVIIIS u vendos në kodrat e Saukut dhe të Sharrës. Mori urdhrin luftarak dhe menjëherë u fut në luftime për çlirimin e kryeqytetit. Më 11 nëntor 1944, kompania ku ishte luftëtare Sosja kishte çliruar një pjesë të kazermave të Ali Rizait. Gjermanët me sulme të shpejta e të rrufeshme kërkonin për të rimarrë pozicionet që kishin humbur. Predhat e artilerisë si pikat e shiut binin pa pushim mbi pozicionet e partizanëve. Aty në kodër nuk shihej gjë tjetër veç tym e flakë e të dukej se toka kishte marrë zjarr. Një ashkël predhe e mori Sosen në shpatull, por ajo nuk mundi të tërhiqej. Një predhë tjetër plasi fare pranë Soses. Shokët vrapuan drejt saj, por ajo nuk fliste më.
Ndërsa Rustem Memushaj do të vazhdonte luftën deri sa u çlirua Tirana. Dhimbjen për humbjen e Soses, Rustemi e kaloi në luftime të njëpasnjëshme të brigadës, e cila duke luftuar arriti gjer në Vishegrad (Bosnje) dhe pas çlirimit Rustemi, tashmë komisar kompanie, do të binte edhe vetë, duke luftuar nga plumbat e armiqve, për rrëzimin e pushtetit të popullit, më 31 gusht 1954, në Lezhë.
Sose Musa Memushaj është shpallur dëshmore e Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorë, po ashtu dhe bashkëshorti Rustem Riza Memushaj (1923-1945) partizan në BrVIIIS, është shpallur dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Vlorë.
Nga Mezhgorani në Tiranë
Male Bonaj lindi në vitin 1929 në fshatin Mezhgoran të Tepelenës, në një familje të thjeshtë, por patriote. Babai, Xheladini, ishte një burrë i urtë, i fjalës dhe punëtor, cilësi këto që i manifestoi kudo në jetën e tij. Ishte nga të parët që luftëtarë që doli për në çetën e Mezhgoranit për në Luftën e Vlorës të vitit 1920. Me këto ndjenja atdhetare u rrit dhe u edukua edhe Male, në këtë familje të thjeshtë fshatare. Male kishte parë me sytë e saj luftimet që u zhvilluan edhe në fshatin e saj në luftën midis dy ushtrive të huaja italiane dhe grekë që zhvillohej në vendin e saj. Edhe pse e vogël, ajo u aktivizua me rininë e fshatit dhe kreu mjaft detyra si në mbledhje të materialeve nga lufta, transportim të tyre, etj.
Në prill 1944, me një grup të rinjsh nga fshati dhe Tepelena u radhit partizane në BrVIIIS. Male mësoi mjaft mirë mjeshtërinë e përdorimit të armës dhe u dallua në çdo luftim të zhvilluar.
BrVIIIS kishte marrë detyrën dhe ishte e gatshme të kalonte në mësymje në sektorin Selitë e Vogël-Yzberisht, më 12 nëntor, batalioni i katërt, ku ishte dhe Male Bonaj, lëvizi drejt veriut dhe sulmoi pallatet e aviacionit e të Xhenios, si dhe fushën e druve, në të dy anët e Lanës në Tiranën e Re.
Ndërkaq, për të ndaluar përparimin e mëtejshëm të këtij batalioni, armiku solli përforcime trupash, duke përfshirë edhe katër tanke, disa autoblinda dhe artileri. Luftimet u zhvilluan me ashpërsi të madhe dhe zgjatën deri në mëngjesin e 13 nëntorit. Hitlerianët pësuan dëme materiale dhe u tërhoqën në drejtim të rrugës së Kavajës dhe të qendrës së kryeqytetit.
Në pasditen e 13 nëntorit 1944, i gjithë sektori i mësymjes së batalionit të katërt në Tiranën e Re, u spastrua nga forcat armike. Në këto luftime që u zhvilluan të ashpra e trup me trup me armikun, ranë trimërisht partizania Male Xheladin Bonaj nga Mezhgorani i Tepelenës.
Populli e ka përjetësuar me këngën popullore: “Shokë, do të këndoj një këngë,/ Për Malen tonë të re./ Që doli maleve,/ Për çlirimin e Shqipërisë./ Për një Shqipëri të re,/ Në rreshtat partizane./ Falë jetën, për atdhe,/ Re dëshmor në malet tona./ Lule, o motra Male,/ Mezhgorani krenohet sot,/ Me bijën tende që dhe”
Është shpallur dëshmore e Atdheut me Vendimin nr. 44, datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Tepelenës.