Familja e heroinës në origjinë ka jetuar në varfëri të tejskajshme, por gjithnjë ka ruajtur frymën e shëndoshë dhe dashurinë për atdheun. Babai i saj, Isufi, gjatë jetës provoi punët më të rënda si punëtor krahu në ndërmarrjen Rruga-Ura, si emigrant në Greqi dhe në Francë.
Me ndjenjë përgjegjësie ndaj atdheut Isufi ka marrë pjesë në luftimet kundër andartëve grekë gjatë viteve 1913-1914; kundër garnizonit italian për çlirimin e qytetit Tepelenë. Si përkrahës i qeverisë së Fan Nolit, Isufi ka marrë pjesë në betejat e Urës së Brarit, në Shkallën e Tujanit dhe si antizogist ka marrë pjesë në Kryengritjen e Fierit të vitit 1935 etj. Ndërsa gjatë LANÇ-it si anëtar i çetës territoriale ka luftuar në disa beteja, si ajo tek Ura e Dragotit, në Shkallën e Zezë, te Ura e Leklit, në Mogila të Vasjarit, Qafa e Miricës, në Dukaj etj. Edhe dy xhaxhallarë të heroinës kanë kryer detyra si veprimtarë aktivë me organet e pushtetit gjatë LANÇ-it. Mamaja e saj, nënë Fatimeja, ka nga trungu i familjes së saj tre dëshmorë të atdheut.
Ajo kur mori lajmin për vrasjen e vajzës në luftë, kërkoi me këmbëngulje të shkonte në front e ta zëvendësonte të bijën, por autoritetet e pushtetit vendor nuk e lejuan për arsye moshe, shëndeti dhe kujdestari familjare.
Nimete Progonati, pasi përfundoi arsimin fillor në fshatin Luzat, vazhdoi me këmbëngulje mësimet në shkollën Plotore në qytetin e Tepelenës. Edhe pse në fëmijëri heroina njohu varfërinë migjeniane, në shkollë u dallua për inteligjencë e zell në mësime. Me prirjen e saj poetike vajza 15-vjeçare ka lënë një fond të vogël me poezi, kryesisht me përmbajtje patriotike, të cilat janë edhe sot një mesazh i fortë atdhetarie për brezat e rinj. Dhe dëshira që ajo u ka shfaqur shoqeve të moshës dhe të afërmve të saj, ishte që në jetë të bëhej mësuese. Shpesh në shkollë dhe në veprimtaritë që kryheshin i pëlqente të recitonte vargjet e Vaso Pashës: “O moj Shqipni, e mjera Shqipni”. Si debatikase, ka shkruar mësuesi i saj Murat Koçiu, në demonstratën e bukës që u zhvillua më 15 shkurt 1942 në Tepelenë, Nimetja, ish-nxënëse e shkollës plotore recitoi para pjesëmarrësve vjershën “Liria”.
Luftëtare e lirisë
Nimete Isuf Progonati lindi në Luzat të Tepelenës, më 26 korrik 1929, në një familje atdhetare e patriote, ardhur në Luzat, më 1805, nga Progonati. Babai i saj, Isufi, ka qenë emigrant në Greqi dhe në Francë dhe me kthimin nga emigrimi punoi punëtor mirëmbajtjeje në ndërmarrjen Rruga Ura. Si shumë bashkëmoshatarë, ajo e kishte ndjerë shtypjen, shfrytëzimin, vuajtjen dhe varfërinë që ekzistonte në fshat e më gjerë në krahinën e Labërisë.
Pushtimin fashist e priti me hidhërim, zemërim dhe urrejtje të madhe bashkë me të gjithë moshatarët. Luzati, më 22 dhjetor 1942, bëri betimin si fshat dhe u lidh me LANÇ-in, ku mori pjesë gjithë fshati: burra, gra dhe fëmijë, e midis tyre dhe Nimetia 14 vjeçare.
Nimetia së bashku me tre shoqe të saj, Qibro Gjyli, Tefta Shehu dhe Dylbie Kopaçi, kur në fshat erdhën partizanët e çetës “Ismali Kaso”, kërkuan të shkonin partizane, por komandanti i çetës Fejzo Ismaili iu tha se, kur të vinin herën tjetër do t’i merrnin, por ata nuk u kthyen më në fshat.
Një ditë kaluan forcat e BrVS dhe Nimetja së bashku me tre shoqet u futën në përbërje të kësaj brigade dhe marshuan në drejtim të Përmetit. Më 8 prill 1943, ajo me tre shoqet e saj nisën jetën partizane.
Pushka e Nimetes u dëgjua nga Përmeti, ku u zhvilluan luftime të ashpra në Biovizhd e Çarshovë, ku ajo u dallua për guxim e trimëri. Më 11 maj, komandanti BrVS, Shefqet Peçi, Hero i Popullit, i dhuroi një automatik dhe e quajti “Zhan d’Ark” shqiptare.
Në çdo betejë Nimetja tregonte trimëri e guxim, komandanti i kompanisë, Metani nuk i linte vajzat që të dilnin në vijën e parë, me qëllim që t’i ruante, por ajo fshehurazi lëvizte dhe dilte në vijën e parë të luftimeve. Kur komandanti i diktonte, e qortonte ashpër që të ruante veten, por ajo i thoshte se “unë kam ardhur vullnetare partizane që të luftoj kundër armikut, që ka pushtuar vendin dhe jo të bëj sehir, se si luftojnë të tjerët”.
Nimetja ra në luftë më 26 korrik 1944.
Përjetësia e heroinës
Partizanes së vogël si kujtdo që bie në luftë iu bënë nderimet e duhura. Për heroinën është shkruar nga shumë personalitete, figura kuadrosh e veteranë, ish-pjesëmarrës në LANÇ.
Nimete Progonati mban shumë tituj nderi, si: “Heroinë e Popullit” me dekret nr. 5212, datë 21.11.1974, medaljen e “Trimërisë”, të “Çlirimit”, të “Kujtimit”.
Është shpallur “Dëshmor i Atdheut” vendim nr. 44, datë 3.8.1971 të Komitetit Ekzekutiv të Tepelenës; Në vendin e rënies, në Sinjë të Dibrës është ngritur një lapidar; Mban emrin e saj shkolla 9-vjeçare e fshatit Sinjë, Dibër; Mban emrin e saj shkolla 9-vjeçare e qytetit Memaliaj; Mban emrin e saj edhe Qendra e Edukimit të Fëmijëve (ish-Shtëpia e Pionierit Tepelenë); Në qendër të qytetit Tepelenë, në bulevardin kryesor, më 11 janar 2001, u përurua busti i Nimete Progonatit, i realizuar nga Artisti i Popullit nga Mumtaz Dhrami.
Për heroinën 15-vjeçare janë botuar shumë shkrime, kujtime, portrete, tregime, poezi, këngë dhe dokumentarë televizivë, të cilët evidentojnë më së miri jetën dhe veprimtarinë e saj.