Historiku i Brigadës IV Sulmuese
Ndonëse urdhri i Shtabit të Përgjithshëm ishte lëshuar që në tetor për organizmin e Brigadës IV sulmuese, kjo ndodhi vetëm më 28 dhjetor 1943. Korça e meritonte një njësi të madhe luftarake, për shkak së këtu Lëvizja dhe LANÇ kishin marrë që herët vrull të madh. Mjafton të themi se më 7 korrik 1943 në raportin e Shtabit Madhor të LANÇ-it që do të paraqitej në takimin me emisarët britanikë, nga 16 batalione të krijuar deri atëherë në gjithë Shqipërinë, 6 prej tyre ishin krijuar në krahinën e Korçës.
Në Vithkuq të Korçës ishte krijuar Brigada I Sulmuese me partizanë nga e gjithë Shqipëria. Po në qarkun e Korçës do të krijoheshin edhe Brigada IX Sulmuese dhe Br. XV Sulmuese.
Sapo batalionet e saj u rreshtuan dhe u komunikuan komandat, u dha urdhër për t’u nisur në detyra luftarake. Kishte filluar operacioni gjermano-xhandaro-ballist i dimrit. Prandaj batalionet e Brigadës IV Sulmuese u nisën kundër forcave gjermane që po mësynin nga Mokra, nga Elbasani e Gramshi, por edhe nga Berati e Çorovoda, të gjitha për në Opar.
Nga Tirana ishin nisur forca të mëdha gjermane për krahinën e Korçës. Por gjermanët nuk kishin mundur të bënin më parë rrethimin operativ të kësaj zone, siç pat ndodhur në zonat e tjera në Veri të Shkumbinit, sepse këtë plan ia kishin prishur armikut forcat partizane që para fillimit të operacionit. Prandaj krahët e formacioneve partizane në qarqet e Korçës e të Beratit, nga ana e Dangëllisë, Përmetit dhe Dëshnicës kishin mbetur krejt të lira, të pacenuara. Kjo përbënte një plus të madh për to, sepse u jepte mundësi manovrimi kundër rrethimeve të armikut.
Bashkë me Brigadën IV Sulmuese ndodheshin edhe forca të Batalionit Tomori, një kompani e Vlorës, forca të komandës së Shtabit të Korçës, dhe në Jug Batalioni Hakmarrja i Kolonjës, batalioni Dumre-Verçë-Sulovë etj. Por jo më shumë se 2000 veta përballë afër 9000 armiqsh, të pajisur me teknikë luftarake të fuqishme. Me partizanët e Korçës ndodheshin gjithashtu edhe dy anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, Haxhi Lleshi dhe Ramadan Çitaku, drejtues të tjerë politikë.
Më 9 janar, tri kolona gjermane të shoqëruara me ballistët dolën nga Korça dhe morën drejtimin, e para në Zvarisht, e dyta në Dersnik dhe e treta për në Vithkuq. Gjatë gjithë ditëve më 10, 11 e 12 janar, në kulmin e të ftohtit, batalionet e kompanitë e Brigadës, të ndara në drejtime të ndryshme, goditën pa prerë forcat armike, duke i dëmtuar, por nuk ishte e mundur t’i vinin në tërheqje, për shkak të epërsisë së tyre në forca dhe armatim. Në mëngjesin e 11 janarit forcat gjermane kaluan në mësymje nga Shtylla për te Qafën e Martës, nga Dërsniku për në Gjergjevicë, nga Gjonomadhi e Lavdari për në Voskopojë, nga Tresova për në Shipckë e më tej, nga Zvarishti në Osojë e Gjinikas. Forcat partizane qëndruan fort me sulme e kundërsulme, por edhe me tërheqje për të mos rënë në rrethime.
Duke kuptuar drejt situatën, anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm dhe Komanda e Brigadës kuptuan qëllimin e armikut për rrethimin e Brigadës, prandaj urdhëruan forcat që të tërhiqeshin me radhë, duke u mbrojtur, për të dalë në një drejtim nga rrethimi. Ishte zgjedhur pikërisht Qafa e Beçit në veri të malit të Ostrovicës, (2383 m) për të kaluar në zonën lindore të Skraparit. Qëllimi ishte që prej këndej, duke kaluar në Qafën e Martës, (në jug të Ostrovicës, mal i gjatë rreth 16 km) të goditeshin gjermano-ballistët nga ky krah dhe të spastrohej terreni prej tyre.
Komanda e Brigadës caktoi në pararojë batalionin e 4 të saj dhe si praparojë batalionin e parë, të cilit i shkruante: “Detyra juaj është të mbroni shpinën në vendin ku jeni dhe të mos e lëshoni për asnjë arsye, deri sa forcat tona të kenë çarë e të kalojnë. Është çështje jete a vdekje për të gjithë ne dhe forcat tona. Duhet të qëndroni patjetër, shokë.”
Të gjithë batalionet dhe forcat, të shpërndara gjatë një vije prej 17-18 km, u njoftuan për vendin dhe orën ku duhet të ishin për të krijuar kolonën e marshimit. Dhe u bë një kolonë prej 3000 vetash, (rreth 3 km gjatësi) me partizanë, që mbartnin mbi shpinë nga 20-40 kg, material luftarak dhe ushqime, me banorë të fshatrave që tërhiqeshin nën mbrojtjen e Brigadës, forca të tjera të shtabit të qarkut, ose të ardhura nga krahina të tjera, plus anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm dhe të drejtuesve të tjerë politik, plus oficerëve britanikë. Këta të misionit britanik i shihnin me sytë e tyre ballistët duke luftuar së bashku me gjermanët, siç edhe i kanë paraqitur mjaft prej tyre në raportet e kohës.
Pararoja e batalionit të parë të Brigadës arriti që, pa gdhirë data 12 janar, të afrohej në qafën e Beçit, ku dalloi e shpartalloi një grup ushtarësh gjermanë dhe ballistësh që kishin zënë pozicion pas ahishtave. Në mëngjesin e 12 janarit 1944 qafa e Beçit u kap dhe u hap rruga e daljes nga rrethimi i Brigadës. Ky ishte një sukses shumë i madh për Brigadën dhe forcat partizane të Korçës dhe të Beratit, shkruan autori Mihallaq Konda. Komandanti i Brigadës, Nexhip Vinçani në kujtimet e tij e vlerëson lart këtë veprim luftarak dhe i jep vlerësim maksimal ndërlidhjes me radio dhe asaj telefonike, nëpërmjet të cilave iu komunikua batalioneve urdhri i tërheqjes, duke fituar kohën që ishte aq e çmuar. Në zonën e Korçës perëndimore dhe të Skraparit lindor e më tej ishte vendosur për herë të parë në Ushtrinë NÇ ndërlidhje telefonike mes fshatrave dhe reparteve partizane, madje edhe stacione radioje. Marshimi i Brigadës vijoi për 14 orë pa ndërprerje gjatë gjithë natës dhe u krye pa asnjë shkëputje.
Pikërisht për këtë situatë ka shkruar nënkoloneli britanik Wheleer (Vhiler) në raportin e tij, të botuar pjesërisht nga Roderick Bailey në “Lufta e fshehtë në Shqipëri”.
Një histori e misioneve britanike 1940-1945 Tiranë, “Naimi” 2019, f 284. Lexuesi mund të verifikojë lehtësisht saktësinë e daljes nga rrethimi që përshkruan profesor Konda në librin e tij. Ai nuk kish si ta dinte se ç’ kish shkruar nënkoloneli britanik në raportin e tij, pasi ky do të botohej në vitin 2008 në Britaninë e Madhe dhe në Shqipëri.
Nga qafa e Beçit Brigada doli në rajonin e Potomit, në Skraparin lindor, ku qëndroi disa ditë për t’u ç’ lodhur e përtërirë. Edhe në këtë pjesë të librit, Mihallaq Konda ka përshkruar me vërtetësi dhe krenari qëndresën e partizanëve dhe sakrificat e tyre, vajza dhe djem, disa prej të cilëve mbijetuan edhe në kushte tepër të vështira, me këmbë të ngrira, sa mjeku partizan Petro Cani i preu gishtat njërit me sharrë të zakonshme druri dhe pa narkozë, kurse disa javë më pas i preu këmbën, po me sharrë, partizanit 16-vjeçar Pandi Kocaqit, rast për të cilin është shkruar dhe botuar edhe në gjuhë të huaj tregimi “E pabesueshmja”.
Në librin e tij, Konda shkruan dhe paraqet realitetin me vërtetësi, pa zbukurime, shkruan si për vlerat e larta të partizanëve e të drejtuesve, por shkruan edhe për gabimet. Tregon se si kundër një kolone gjermane në tërheqje nuk u hap zjarr, vetëm pse ishte ngatërruar se kush do të hapte zjarr i pari, ndërkohë që mungoi iniciativa dhe gjermanët u tërhoqën pa luftë. Shkruan për një skuadër partizane prej 11 vetash të batalionit të Myzeqesë, të cilëve nuk iu dha urdhri i tërheqjes pasi kishin humbur lidhjen me kompaninë e tyre. Ata nuk u tërhoqën, por e dinin se nuk mund të tërhiqeshin pa urdhër, prandaj luftuan në mbrojtje të kolonës, deri sa 7 prej tyre u vranë.
Brigada IV S shumë shpejt, duke filluar nga 17 janari kaloi nëpërmjet qafave si ajo e Martës etj., në terrenin e Korçës dhe kundërgoditi forcat gjermano-xhandaro-balliste në fshatrat Stratoberdhë, Katund, Qafëzezë e Qytezë. Më 19 janar Batalioni IV arriti në Panarit, ku u vendosën edhe anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, shtabi i Brigadës e të tjera institucione lokale të Luftës NÇ.
Nga Panariti, Batalioni IV sulmoi një përqendrim gjermanësh (700-800 veta) në Shtyllë, të cilët u tërhoqën për në Korçë. Më 20 janar filloi sulmin mbi armiqtë nga Shtylla në Lekas e Tudas, ndërsa Batalioni IV sulmoi në Gurmujas, Shkozanj e Gjergjevicë. Armiqtë nuk e prisnin një kthim kaq të shpejtë të Brigadës, madje kishin propaganduar se partizanët ishin asgjësuar. Po kështu Batalioni III, në bashkëveprim me batalionin Dumre-Verçë-Sulovë, spastruan Çemericën dhe Marjanin. Me sulm kundër ballistëve u çliruan fshatrat në Lavdar e Karbanjoz, që i pritën partizanët krahëhapur. Prej aty sulmuan forcat armike në Mazrekë, në Protopapë në Shkozanj, Gjergjevicë e në Xerje. Një kompani mori detyrë të dilte në Opar.
Historiani i mirënjohur ushtarak, Mihallaq Konda e përshkruan terrenin e situatën luftarake siç ka ndodhur. Ai shkruan se me gjithë përparimin e forcave partizane, më 26 janar, kundërsulmoi një forcë e madhe ballistësh e xhandarësh të mbështetur nga artileria gjermane. Forcat partizane në krye të të cilave qëndronin e luftonin Haxhi Lleshi, Muharrem Butka, Petrit Hakani, Medar Shtylla etj., me luftime të ashpra çanë rrethimin dhe u tërhoqën përsëri në Backë e Panarit. Armiqtë u gëzuan para kohe. Batalioni 3p marshoi nga shkëmbi i Brozdovecit dhe kapi qafën e rëndësishme të Tudasit, ku një çetë balliste që ishte caktuar për ta mbrojtur, u tërhoq. Partizanët sulmuan armiqtë brenda në fshatin Tudas. Armiqtë ikën të shpartalluar, duke lënë të vrarë 8 ballistë dhe 15 robër. Tudasi u çlirua për herë të dytë brenda 5 ditëve. Partizanët e batalioneve të tjera marshuan (18-29 janar) dhe u rikthyen në Lavdar. Edhe forcat e Brigadës IV bashkë me batalionin “Tomori”, e kaluan qafën e Martës në kushte të vështira të motit dhe marshuan për Xerje, Shkozanj e Gjergjevicë.
Shtabi i Brigadës më 30 janar, bëri në Tudas një analizë të luftimeve të zhvilluara. Më 31 janar u zhvilluan luftime kundër tyre përsëri në Mazrekë, Protopapë, Osojë e Krushovë (Gorë) (rreth 600 forca) dhe u vranë mbi 25 ballistë, u plagosën mbi 30 dhe dorëzuan 30 të tjerë. Në vijim batalionet e Brigadës, më 1 shkurt sulmuan dhe spastruan nga armiqtë gjithë zonën e Oparit, në krahun e majtë të lumit Devoll deri në kufi me Tomoricën.
Në libër paraqiten me hollësi veprimet luftarake, edhe në shkallë kompanie e ndonjëherë edhe skuadre, me sulmet e kundërsulmet e tyre për çlirimin e zonës malore të Korçës perëndimore. Lexuesi mund ta ndjeke situatën duke parë skicat e sakta që ka vënë autori në libër.
Veprimet luftarake të tyre janë nga më të larmishmet, shpirti sulmues i pamposhtur, iniciativa e pathyer për të sulmuar armiqtë, ndonëse në një mot shumë të ashpër.
Komanda e Batalionit I dhe batalioni partizan Hakmarrja organizuan pritë në rrugën Qesarakë-Shën Premte e Qesarakë-Kaltanj dhe shpartalluan një forcë armike. Ndërkohë Batalioni 2 marshoi nëpër malin e Rrungajës (1945 m) me 1 m borë trashësi e furtunë dhe bashkë me batalionin Hakmarrja asgjësuan në Lubonjë çetën balliste të File Backës dhe vetë Filen dhe i morën automatikun e partizanit të vogël, Todit, që e kishte vrarë Filja vetë, në korrik 1943.
Pasi arritën, komandanti dhe komisari i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, (10 mars 1944) Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha, urdhëruan që Brigada të linte një batalion në Vithkuq e një në Gjergjevicë dhe me forcat e tjera t’i shtrinte veprimet në drejtim të Malit të Thatë e në Devoll, ku do të bashkëpunonte me batalionin “Fuat Babani” etj. Luftimet e para këtu u bënë në Dardhë, Arrëz-Sinicë e Qytezë. Aty mbetën të vrarë 30 gjermanë dhe 2 ballistë, u zunë 6 gjermanë rob dhe u kapën 4 mitraloza të lehtë, një mitraloz i rëndë, 2 mortaja 81 mm, 70 pushkë dhe 33 kafshë të ngarkuara me predha mortaje, fishekë, ushqime dhe veshmbathje. Shtabi i Përgjithshëm në komunikatën që lëshoi e vlerësonte lart këtë fitore. Madje edhe Radio Londra e njoftoi atë.
Luftime të ashpra u zhvilluan më 22 dhe 23 mars kundër një kolone me 10 makina gjermane dhe një numri të madh ballistësh. Më 24 mars përsëri rreth 200 gjermanë nga Bilishti kundërsulmuan forcat e Batalionit të I S, madje edhe me një avion që i mitralonte nga lart. Por edhe këto u detyruan të kthehen në Bilisht, pasi lanë disa të vrarë e të plagosur.
Më 27 mars, batalionet e Brigadës IV S sulmuan forcat armike në Koshnicë e në Sul, më 28 mars luftuan kundër një kolone prej 200 gjermanësh e ballistësh. Në një aksion të datës 4 prill goditën dhe gjermano-ballistë në rrugën Shënkollas-Sul. Pas tërheqjes së armiqve forcat partizane u nisën për në Sinicë e Dardhë, ku qëndruan disa ditë për veprimtari politike e kulturore. Në radhët e batalioneve vërshuan rreth 200 vullnetarë, mes të cilëve edhe 20 vajza.
Ndërkohë dy batalionet e tjera të Brigadës IV s zhvilluan luftime në fshatrat e Rrëzës së Korçës, duke sulmuar e shkatërruar forcat balliste në Bulgarec e Qatrom, në Dërsnik, më 17 mars, në Melçan e Biranj kundër 300 forcave gjermane dhe 100 xhandarëve, që u tërhoqën në panik, duke lënë 29 të vrarë mes tyre një major. Pas kësaj dite të turpshme për ta, komandanti i xhandarmërisë së Korçës i telegrafonte Tiranës: “Fuqi të shumta partizane, të armatosura mirë, gjenden rreth e qark Korçës në një largësi 2km jashtë qytetit. Sot në mëngjes fuqi ushtarake gjermane dhe xhandarë u përpoqën me fuqitë partizane, por për shkak të numrit të madh të kundërshtarëve u tërhoqën. Partizanët sot sulmojnë Korçën. Dërgoni fuqi.
Komanda gjermane me këtë rast shpalli shtetrrethim në qytet.
Një aksion tjetër i suksesshëm u zhvillua ato ditë në Boboshticë. Po ashtu më 3 prill u thye një sulm tjetër i 300 gjermanëve dhe ballistëve në teqenë e Velçanit e në Porodinë.
Në mbyllje të veprimtarisë së Brigadës IV Sulmuese, gjatë Operacionit të Dimrit nga 17 janari deri më 4 prill 1944, për 79 ditë ajo vijoi pa ndërprerje kundërgoditjen për asgjësimin, shpartallimin e spastrimin nga armiqtë të krahinave të qarkut të Korçës. Statistika e fitoreve të Brigadës që historiani i shquar Mihallaq Konda ka dhënë, shënon se Brigada gjatë këtyre ditëve zhvilloi 50 veprime të rëndësishme luftarake në të cilat ranë 42 dhe u plagosën 45 partizanë. Armiku pati 308 gjermanë të vrarë, 238 të plagosur dhe 12 robër, kurse xhandarët dhe ballistët patën 242 të vrarë, 244 të plagosur dhe 393 robër. Armikut iu zunë 300 armë e mjaft municion. U shtuan armët e rënda dhe u rrit fuqia e zjarrit të Brigadës.
Brigada IV Sulmuese vazhdoi më tej në mësymjen pranverore të Ushtrisë NÇ, kaloi në Veri dhe në përbërje të Divizionit të I Sulmuese zhvilloi luftime të ashpra në qarkun e Dibrës, në çlirimin e Mirditës dhe mori pjesë në Betejën e madhe për çlirimin e Tiranës e në Betejën e Mushqetasë etj.
Përfundimi: Çfarë e bënte të mundur këtë bilanc? Patjetër forca e Brigadës, kompaktësia e saj, disiplina shembullore e partizanëve, taktika e suksesshme e luftës partizane dhe fakti i mbështetjes së gjithanshme e popullit, që e shihte dhe vlerësonte si luftën e tij, Luftën Nacionalçlirimtare.