Në panteonin e artë të historisë së kombit kulmon një nga ngjarjet më të mëdha, epopeja e ngadhënjishme e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Kjo luftë në rrugëtimin e kombit shkroi lavdinë e tij. Sado që kohët ecën dhe largojnë madhështinë hyjnizuese të kësaj epopeje, gjaku i derdhur i bijave dhe bijve të kombit thërret në histori, thërret për atë çka ata dhanë jetën në lulen e rinisë.
Liria për të ishte gjëja më e shenjtë, ishte mbi jetën. Me patosin e shpirtit, rrokën armët qindra e mijëra vetë e iu ngjitën maleve në luftë, ku shkruan një histori dritëdhënëse, përballë një armiku të egër, të madh, ç’ njerëzor, që kërkonte të rrënonte e zhdukte lirinë e kombit, ekzistencën e tij. Por një popull i tërë, i etur për liri, që kishte treguar se atdheu ishte më i shtrenjtë se çdo gjë, shkroi histori të pa treguar, që sot ngelen si gurë themeli të kujtesës së tij historike.
Hero i Popullit Mustafa Matohiti
Mustafa Matohiti u lind në Lekdush, më 15 nëntor 1912. Mbaroi shkollën fillore dhe atë plotore në Delvinë. I ati Sabriu rropatej në punë të ndryshme për bukën e gojës, por të birin donte ta shkollonte. Varfëria dhe shtypja ziente përbrenda çdo zemre. Mustafai ishte 17 vjeçar, kur më 28 nëntor 1929, në Gusmar, qendër e n/prefekturës së Kurveleshit, mori iniciativë dhe tha: “Neve kurveleshasve na urrejnë armiqtë e kjo na gëzon dhe do t’i luftojmë akoma më shumë”. Kjo protestë tregon jo vetëm urrejtjen kundër padrejtësive, por edhe zgjuarsinë dhe guximin e Mustafait.
Në vitin 1929 Mustafai u punësua në Tiranë, tek një farmacist. Donte të vazhdonte shkollën, por askush nuk e ndihmonte. Me durim dhe vullnet fitoi në një konkurs provimesh dhe u fut në një shkollë oficerësh. Në shkollë u lidh ngushtë me Asim Vokshin, Hero i Popullit. Në verën e vitit 1933 mbaroi shkollën dhe doli oficer për artilerinë. Emërohet në Elbasan, ku njihet me shumë elementë antizogistë, të cilëve u fliste për historinë dhe luftërat e popullit tonë për liri dhe pavarësi. Në maj 1937 e arrestuan xhandarët e Zogut për veprimtarinë atdhetare dhe e burgosën në Tiranë. Regjimi zogist e përjashtoi nga radhët e ushtrisë dhe i dha banim të detyrueshëm në Delvinë. Madje qeveria zogiste ia kishte shënuar emrin në defterin e njerëzve më të rrezikshëm të regjimit. Pas kësaj, Mustafanë e dërguan me banim të detyrueshëm në Lekdush nën një mbikëqyrje të rreptë. Në nëntor 1938 ai arratiset dhe shkoi në Greqi me shpresë që të shkonte në Luftën e Spanjës, ku ndodheshin Asim Vokshi, Petro Marko, Ramiz Varvarica e të tjerë, por autoritetet greke e ndaluan dhe e dorëzuan te xhandarmëria shqiptare, ku për dy muaj ai iu nënshtrua torturave.
Agresionin fashist, të 7 Prillit 1939, e priti me një zemërim prej atdhetari të vërtetë. Në 1941 u ndodh në Piqeras, ku zhvilloi veprimtarinë patriotike në bashkëpunim me Mitro Xhanin. Më 18 mars 1942, në kujtim të Luftës së Mashkullorës nga çeta e Çerçiz Topullit, Mustafa Matohiti para autoriteteve dhe popullit mbajti një fjalim të zjarrtë patriotik. Në fund ai nga gjiri nxori një flamur kombëtar, mbi të cilin qe shkruar: “Sot me flamur shpalosur, nesër me pushkë në dorë maleve!”. Kështu deklaroi Mustafai në Mashkullorë dhe ai s’la katund e kasolle pa ligjëruar si bilbili për idealet e luftës për liri. Me udhëzim të Qarkorit të PKSH-së për Gjirokastrën, në lajthitë e Gusmarit, në prill 1942, formoi çetën partizane, ku komisar të saj luftëtarët e lirisë caktuan Mustafa Matohitin... Me iniciativën, pjekurinë e maturinë, Mustafai brenda muajve mars-maj 1942, krijoi në zonën e Kurveleshit këshillat antifashiste nacionalçlirimtare dhe njësitë e armatosura pranë tyre… Në maj 1942, në Kuç u formua celula e parë komuniste për Kurveleshin dhe sekretar u caktua Mustafa Matohiti, i cili ishte njëkohësisht dhe komisar i çetës së parë partizane të krahinës.
Më 28 nëntor 1942, në ditën e 30-vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, në krye të 250 kryengritësve kurveleshas, sulmon administratën fashisto-zogiste dhe me trimëri, guxim e mençuri korri një fitore historike që pati një mbështetje të madhe mbarë popullore në Kurvelesh e më larg. Kurveleshi u çlirua nga vargonjtë e mercenarëve dhe pushtuesve fashistë.
Mustafa Matohiti ishte njeri i aksionit të guximshëm, por ai shquhej edhe për oratorinë e përsosur. Fjala shpatë e barut e Mustafait që bashkë me Mehmet Shehun dhe Abaz Shehun demaskuan me argumente krerët ballistë Ali bej Këlcyra, Rasim Babameto, Zenel Gjoleka, atje në rrapet e Dervenit, më 4 maj 1943. E ku nuk shkeli këmba e Mustafait!? E njohu Kurveleshi, Lopësi e Mesapliku, Buzi, Rrëzoma e Krahësi, Bënça, Bregdeti e Përmeti, Kardhiqi, Gjirokastra e Mallakastra, Zagoria, Dëshnica e Poliçani, Tepelena e Konispoli… Aftësitë drejtuese, organizuese dhe fryma luftarake e tij u shfaqën edhe kur u emërua komisar i Grupit të Katërt “Çamëria”, apo kur u caktua komisar i Brigadës VI Sulmuese, më 26 janar 1944. Brigada VI Sulmuese zhvilloi shumë beteja dhe në njërën prej tyre, në atë të 29 marsit 1944, në Mërgëlliç, Mustafa Matohiti, Dino Kalenja, Lefter Talo dhe Meleq Gosnishti, të katër Heronj të Popullit, me gjakun e tyre të kulluar do të shkruanin pavdekësinë dhe lirinë që do të vinte më 29 nëntor 1944, përmes pushkës fitimtare partizane.
Hero i Popullit Meleq Gosnishti
U vra gjatë luftimeve për marrjen e kalasë së Margëlliçit në Patos, më 30 mars 1944. Lindi në fshatin Gosnisht të Përmetit. I biri i Iliaz dhe Hatixhe Gosnishtit. Qe fëmija më i madh nga shtatë fëmijët e kësaj familje. Emigroi që në moshën 14 vjeçare drejt Parisit dhe u kthye më vonë për të marrë pjesë në Luftën për çlirimin e Vendit. U vra teksa po luftonte në Kalanë e Margëlliçit së bashku me të tjerë partizanë dhe me shokun e tij, Heroin e Popullit, Mustafa Matohitin. Dy ditë pas vrasjes së tij, në Tiranë gjeti vdekjen dhe vëllai i tij i vogël Zini Gosnishti. Varri i tij gjendet ende në rrethin e Përmetit. Për nder të këtij heroi ka marrë emrin e tij një ndër shkollat më të mira 9-vjeçare të rrethit të Përmetit, gjimnazi i Patosit dhe një rrugë në Tiranë.